Want create site? Find Free WordPress Themes and plugins.

Nëse doni ta lini prapa rrëmujën e qyteteve kaotike, lodhjen e vapës mbytëse në verë dhe tkurrjen e një dimri monoton, nëse jeni të apasionuar pas natyrës,
pyjeve, maleve, liqeneve, nëse jeni të dhënë pas historive të vjetra e të reja, nëse kërkoni të provoni shije të veçanta urbane, kulinarie dhe kulturore, atëherë nuk duhet të lini pa vizituar këtë zonë me histori të lashtë, klimë të begatë dhe natyrë të mrekullueshme, me njerëz sqimatarë, të mençur dhe punëtorë, një zonë ku përzierja e erërave të Ballkanit dhe Perëndimit kanë krijuar më të hijshmen e Shqipërisë, Korçën.
Qyteti shtrihet në pjesën Juglindore të vendit, në rrëzë të malit të Moravës dhe në krye të fushës me të njëjtin emër, në lartësinë 825 metra mbi nivelin e detit. Atje ku mesdhetarja bën paqe me kontinentalen, të gjitha llojet e relieveve i gjen atje; male, kodra dhe fushën e rrethuar prej tyre. Dielli lind mbi vargmalin e Moravës pas të cilit rri Devolli, në jug shtrihet Gramozi e Kolonja, më tej drejt perëndimit vjen Vithkuqi, Voskopoja, Opari dhe Gora, veriu të sjell freskinë e liqeneve të Ohrit e Prespës.
E të gjitha këto sot përbëjnë destinacionin më të frekuentuar turistik në Shqipëri, ndër të paktët të tillë të orientuar drejt rekreacionit aktiv dhe të larmishëm.
Pedalimi është një prej alternativave më joshëse që të ofron Korca. Është koha ta zbuloni magjinë e saj nëpërmjet 19 itineraresh, 864 kilometrash pedalim në qytet e përmes fushash pjellore bujqësore, breg liqenesh mahnitës, majash që të ndalin frymën dhe peisazhe piktoreske që të ngelen në kujtesë. Do të kaloni nëpër kreshta malesh, lugina, pyje, lumenj dhe përrenj të fshehur që vlen të zbulohen dhe vizitohen. Do të ndaloni nëpër fshatra turistike ku nuk është gabim t’i dorëzoheni tundimit për të provuar edhe pak verë ose raki ndërsa shuani urinë me shijet më të mira të kuzhinës vendase.
Mezi do prisni pastaj, t’jua tregoni këtë aventurë fantastike edhe shokëve e kolegëve, fundja edhe ata e meritojnë të mos e humbin.
Në faqet e këtij pedaluesi do të gjeni hartën e përgjithshme të të gjitha itinerareve si dhe hartat e vecanta për secilin pedalim. Do të gjeni përshkrime dhe informacion për pikat e interesit të të gjitha zonave ku kalon rrugëtimi që do të zgjidhni. Do të gjeni profilet vertikale dhe gjatësore të secilit itinerar. Nëpërmjët skanimit të QRCode të cdo itinerari do të mund të hapni hartën në smartphone-in tuaj, të informoheni gjerësisht dhe të orientoheni lehtësisht gjatë rrugëtimit, nëpërmjet opsionit GPS.
Ndoshta aventura më e bukur pret për ju atje!

Ende s’jeni nisur?

Harta Përmbledhëse

Did you find apk for android? You can find new Free Android Games and apps.