Want create site? Find Free WordPress Themes and plugins.

Voskopoja ndodhet midis Gorës dhe Oparit (20km). Fshati është i rrethuar nga kodra të larta dhe nga pyje me fiere. Klima në këtë fshat është me verë të freskët dhe dimër të ftohtë e me reshje dëbore gjatë pjesës më të madhe të kësaj stine. Këtu ndodhen edhe disa pista natyrale për ski. Ky fshat njihet për ajrin e pastër dhe forcën kuruese të sëmundjeve të frymëmarrjes. Ky fshat mund të quhet një perlë e peizazhit shqiptar. Historia e Voskopojës fillon të shkruhet në shekullin e XIV(14), por ky fshat nuk kishte fituar famë deri në shekullin e XVII(17) kur progresi në kulturë e edukim u bë i njohur. Voskopoja ka pasur 24 kisha me afreske nga më të bukurat sot ekzistojnë, mbijetojnë vetëm 7 prej tyre.

Voskopoja, dikur një qëndër e zhvillimit ekonomik, kulturor dhe artit, plot prosperitet, njohu ritmin e tregëtisë së kohës me qendra të tjera të rëndësishme të Shqipërisë, Ballkanit dhe më tej. Tregëtia me perëndimin dhe lindjen, si një udhëkryq ku takoheshin kulturat e kohës, i dha zhvillim të gjithanshëm qytetit.

Themelimi i saj mendohet të jetë rreth vitit 1330, nga një komunitet vllah, duke u banuar edhe nga shqiptarë, ndërsa Kisha e Shën e Premtes, e ndërtuar në një kodër, ishte kisha më e vjetër (sot e rindërtuar mbi rrënojat e kishës së djegur), rreth së cilës u ndërtuan edhe shtëpitë e para.

 Arkitektura e kishave, mjeshtrat e ikonave dhe afreskeve si David Selenica,vëllezërit Zografi nga Korça, Konstandin Ieromonaku, mjeshtër për ikonostaset është ende kjo pasuri, që i ka rezistuar kohës, luftrave, dëmtimit nga dora e njeriut, si dëshmimtare unike e atij qytetërimi, janë ato të cilat tregojnë vlerat e saj të papërsëritshme.

 Voskopoja tregoi interes të veçantë për zhvillimin e gjuhës, kulturës dhe artit bizantin të kohës. Duke patur një status të veçantë për kohën nën Perandorinë Otomane, voskopojarët mundën të ndërtonin dhe të zhvillonin strukturat jetike për një qytet. Prandaj ndërtimi i kishave të stilit bizantin, të vizitueshme edhe sot për afresket origjinale, për arkitekturën e tyre dhe harqet apo kupolat e pikturuara (24 kisha gjithsej dhe manastiri i Shën-Prodhromit), ende mahnisin vizitorët e shumtë. Themelimi i “Akademisë së Re”-shkolla, që edukoi mijëra studentë dhe i strehoi në konviktin e saj, shtypshkronja e parë në rajon, pas asaj të Kostandinopojës si një gur themeli për qytetin, që nxori në dritë botime të shumta, duke ndihmuar zhvillimin e gjuhës, kulturës dhe artit, bibliotekë të pasur me libra filozofësh, dijetarësh të mëdhenj evropianë, me jetimore, shtëpi karakteristike me gurë, ura, rrugë me kalldrëme, etj.

Duke qenë një qendër e rëndësishme kulturore në rajon, gjuhët e folura në Voskopojë janë disa, si arumanishtja, shqipja dhe greqishtja, kjo e fundit si gjuha e kulturës së kohës.

Voskopoja në vite u zhvillua dhe vazhdoi të ruajë zakonet, historinë dhe traditat e krijuara prej kohësh. Njëzetë e katër kishat e saj u kthyen në qëndra të rëndësishme edukimi liturgjik, të ruajtjes dhe përhapjes së gjuhës Shqipe, të ruajtjes së trashgimisë kulturore, të dokeve dhe zakoneve.

Voskopoja dallohet për përgatitjen e punimeve të dorës bazuar në mjeshtërinë lokale dhe burimet natyrore, veçanërisht për  punimin e drurit, thurrjen e veshjeve te leshta e shumë punime të tjera me vlerë.

Me bibliotekë, me Akademi,me trotuare me kalldrëm,me shumë piktorë të shquar të kohës si David Selenica, Kavalioti, Grigori etj., me traditë të pasur popullore e me zejtari, Voskopoja, tashmë është një kryeqëndër e rëndësishme ekonomike dhe kulturore.

Sezoni i verës në Voskopojë është gjithmonë e më atraktiv për turistët e shumtë. Mjafton të dalësh shëtitje mëngjeseve apo mbrëmjeve, për të thithur ajrin e freskët, për të shijuar ujin e burimeve apo çezmave të shumta nëpër fshat, për të bërë kamping apo ekskursione. Larg zhurmës, larg vapës, pluhurit apo angazhimeve në punë, në Voskopojë gjen edhe gatimet tradicionale të zonës. Nuk mund të largohesh pa shijuar  lakrorin në saç, qengjin në hell, rakinë e kumbullës, petullat e fshira, petkat, petanikun, kulaçin, etj.

  • Kishat dhe Trashëgimia kulturore: Vizita nëpër kishat e Voskopojës dhe Bazilikat e stilit post-bizantin, për t’u njohur nga afër me trashëgiminë dhe vlerat kulturore që ato përfaqësojnë.
  • Natyra: Për të apasionuarit e natyrës, në Voskopojë mund të eksploroni shtigjet e shumta, si: Voskopojë-Shipckë, Voskopojë- Shën Kostandini, Voskopojë-Maja e Pasha Tepes, Voskopojë-Rezervuari i Zhombrit, Voskopojë- Shën-Prodhrom-Maja e Vainës.Voskopojë- Antenat, etj.
  • Shëtitje nëpër fshat: Shijoni bukuritë karakteristike të traditës së punimit të gurit, arkitekturën dhe afresket e kishave, rrugët  me kalldrëm, çezmat me gur të skalitur, etj.
  • Aktivitetet sportive: Ecje, marshim në natyrë, shëtitje me kalë, shëtitje me biçikletë, etj.
  • Gatimet tradicionale: Në restorantet në Voskopojë, do të shijoni gatimet bio tradicionale të zones dhe gjatë fundjavave do të argëtoheni nën tingujt e muzikës korçare.
  • Gjatë verës: Kur koha është e bukur, me qiellin e pastër plot yje, kamping me shoqërinë dhe miqtë është një alternativë Vendet ku mund të qëndrosh në rrethinat e Voskopojës janë të shumta. Një pjesë e turistëve të huaj që vijnë e vizitojnë Voskopojën me makinën kamper, shpesh qëndrojnë për të kaluar natën aty, duke u mahnitur nga natyra dhe panorama që gjejnë.
Did you find apk for android? You can find new Free Android Games and apps.