Want create site? Find Free WordPress Themes and plugins.

Vithkuqi ndodhet në jugperëndim të qytetit të Korçës (26 km). Klima malore e këtij atraksioni turistik, e ftohtë në dimër dhe e freskët në verë, është një klimë mjaft e shëndetshme. Popullsia përbëhet nga 965 banorë dhe 230 familje. Sipërfaqja e zonës është 195 km2 kuse lartësia mesatare 1230m. Pika më e lartë është Rrungaja 1750m. Relievi është i përthyer dhe i shumëllojshëm. Vithkuqi rrethohet nga male dhe kodra tërësisht të veshura me drurë dhe shkurre. Këtu e ka burimin lumi Osum, i cili përshkon gjithë relievin dhe formon një basen që përmbledh të gjitha ujërat e burimeve të shumta në këtë vend. Pranë fshatit ndodhet liqeni artificial i Gjançit, ku ka lloje të ndryshme peshqish. Vend të veçantë zenë kafshët e egra, si: ariu, ujku, dhelpra, drenusha, lepuri, macja e egër, etj; shpendët e egra dhe pyjet me ah, lis, pishë, etj. Në pyjet e zonës rriten shumë bimë medicinale si: dëllinja, trëndafili i egër, çaji i malit, lule bliri, zhumblica, mëllaga, lule basani, lule shtogu etj. Aty ka edhe një shkollë të mesme të përgjithshme, e cila mban emrin e vithkuqarit të shquar Naum Veqilharxhi.

Vithkuqi është një vendbanim i lashtë ilir. Ndonëse pak i eksploruar ai daton si qendër e banuar nga periudha e parë e hekurit deri në shek II-të p.e.s. Dëshmi për këtë janë kalatë që janë vendosur për të ruajtur trevën, si ajo e Boshanjit, Bellovodës dhe e Leshnjës, si dhe tumat në lagjet e vjetra të Vithkuqit: Qyran dhe Qyrshas. Në dokumenta ai përmendet si vendbanim në Principatën e Muzakajve, qysh në shek XV, por dokumenti më i rëndësishëm është që Vithkuqi ka qënë vendbanim qysh në shek XII-të, sepse në këtë kohë është ndërtuar dhe e para kishë në Vithkuq, ajo e Shën Thanasit, e cila daton në 1162-shin. Në regjimin osman Vithkuqi është regjistruar si pronësi myrk dhe më vonë vakëf i Mirahor Iljaz Beut (1484-1504). Regjistrimi i parë kadastral i 1568-1570 jep të dhëna se Vithkuqi ka pasur popullsinë më të dendur dhe janë të regjistruara 343 familje të krishtera.  Në shek XVII-XVIII njihet si qytet i zhvilluar dhe në kulmin e lulëzimit të tij ka patur 24 lagje me një popullsi që luhatet nga 12000-15000 banorë. Përveç kishës së parë (Kisha e Shën Thanasit) aty ndodhen edhe 17 kisha të tjera, 3 manastire dhe një qendër Mitropolie. Ka ekzistuar një shkollë, sipas të dhënave, e barazvlefshme me atë të Voskopojës. Në vitet 1781-1819-1823 qyteti i Vithkuqit pësoi tre prishje të mëdha, të cilat e katandisën atë në një fshat të vogël me vetëm 13 familje. Rreth 1856-ës Vithkuqi e mori veten dhe u shfaq si një fshat me 150 shtëpi dhe me tre lagjet e sotme. Popullsia e Vithkuqit migroi e gjitha Brenda dhe jashtë vendit, duke formuar dhe fshatra të shumtë me popullsi krejt vithkuqare (Mandrica në Bullgari, Lehova në Greqi, etj).

Vithkuqarët janë njerëz të dashur, të sjellshëm, me kulturë të trashëguar, por edhe të importuar nga Evropa, sidomos nga Amerika. Në familjet vithkuqare jetohet shumë mirë, sepse ambienti familjar është i ngrohtë, i pastër, i rregulluar bukur dhe gatuhet shumë mirë. Veshja karakteristike e burrave dhe e grave ka qenë shumë e bukur. Gratë vithkuqare punojnë shumë bukur e me finesë leshin, i cili përveç veshjeve shërben për të bërë qilima, levenca etj. Mikpritja, bujaria dhe ngrohtësia janë atmosfera që krijojnë vithkuqarët për mysafirët.

Është kënaqësi të kesh në tavolinë mishin e pjekur të Vithkuqit dhe bulmetin, që kanë shije të veçantë dhe që shkojnë shumë mirë të shoqëruara me pijen karakteristike vendase, rakinë e kumbullës. Në këto raste është shumë mirë të dëgjosh këngën popullore vithkuqare që është ruajtur pavarësisht ndikimeve të huaja, ose të shikosh djemtë dhe vajzat e Vithkuqit duke kërcyer vallen e Dados, e cila kërcehet vetëm në Vithkuq. Të gjithë kemi provuar ose kemi dëgjuar të thërritet në Pazar: “Arra, çaj Vithkuqi”, që janë me nam në të gjithë trevën e Korçës.

Monumentet kryesore të fshatit janë kishat. Kisha e parë u ndërtua në Vithkuq në 1162-shin. Bëhet fjalë për atë të Shën Thanasit. Pas kësaj u ndërtuan edhe shumë kisha të tjera (18 kisha). Të gjitha kanë vlerat e tyre, por më madhështoret janë: Manastiri i Shën Pjetrit, Manastiri i Shën Kollit, i Shën Minait dhe Mitropolia e Shën Millit. Nga këto kisha janë sot të mirëmbajtura ose të ringritura që nga themelet 8 kisha: Shën Pjetri, Kozma Damianov ose Qimitiri, Shën Kostandini, Vangjelizmoi, Shën Milli, Shën Gjergji, Shën Dëllia, Shën Mëria. E ngritur si kishë e re është dhe Shën Nikodhimi. Një rëndësi të veçantë si vepër monumentale, historike dhe fetare paraqet kisha e Shën Pjetrit, e cila u ndërtua në shek. XVIII, rreth 1764-1773. Ajo përbëhet nga afreske të mrekullueshme me rreth 2000 piktura, e punuar e gjitha me kontributin e vetë vithkuqarëve dhe e ndërtuar nga mjeshtërit vithkuqarë që kishin punuar në Venecia, si: Dhima Dukasi, Hari Venetiku, Dine Krekasi, Vaso Sumbulla, Kule Deti, etj. Projektuesi i kishës ishte vithkuqari Than Lena bashkë me të birin e tij Gjikë Lena. Duhet përmendur që në këtë manastir ka ekzistuar një bibliotekë e famshme në të cilën ruheshin libra që ishin shtypur në Shtypshkronjën e Voskopojës, midis tyre dhe “Traktati logjik i Kavaliotit”. Në krah të Shën Pjetrit është një kishë e një natyre të veçantë, ajo e Kozma Damianoit, në të cilën ruheshin eshtrat e të vdekurve. Po ashtu, për t’u përmendur është kisha e Shën Millit të Vithkuqit që përveç bukurisë të rrallë, ruan në brendësi thesare të afreskut pikturuar nga Zografët dhe Shpatarakët, të cilët kanë pikturuar dhe shumicën e kishave. Monumente të rëndësishme në Vithkuq janë edhe urat, të cilat ishin me shumicë në të gjitha rrugët e Vithkuqit, por më të veçantat janë: Ura e Liasit (e lagjes Lias) dhe ajo në hyrje të Vithkuqit., Ura e Zotos. Në Vithkuq ka shumë çezma, disa prej të cilave të ndërtuara me një mjeshtëri të rallë, si p.sh.: ajo e Nasto Kroit, e Miçuçit, e Kurtiqit, e Arrës së Thatë etj. Vithkuqi përmendet dhe për monumente natyrore si: Bliri i Shën Pjetrit dhe Plepi i Shën Millit.

Did you find apk for android? You can find new Free Android Games and apps.