Kjo xhami, xhamia më e vjetër në Shqipëri është njëkohësisht edhe monumenti më i vjetër i qytetit. Daton në vitin 1496, atëhere kur qyteti filloi të funksiononte si njësi administrative dhe mban emrin e Iliaz Bej Mirahorit (Ilia Panariti). Xhamia mbart vlera historike, kulturore, fetare dhe arkitektonike. Është xhamia e parë me kube e ndërtuar në Shqipëri. Në brendësi është e lyer me të bardhë dhe ka disa piktura të Mekës dhe Medinës në mur. Kulla e Sahatit e rindërtuar në vitin 2015 së bashku me rikonstruksionin e sheshit para xhamisë “Kopshti i Parajsës” përbën një vlerë të shtuar për Korçën, duke nxjerrë në pah trashëgiminë kulturore dhe arkitekturore të saj. Rikonstruksioni i kullës historike të Sahatit dhe sheshit para xhamisë krijon një ansambël harmonik midis Pazarit të Vjetër të qytetit dhe kësaj zone.











