Want create site? Find Free WordPress Themes and plugins.
0
km
Gjatësi Itinerari
0
%
Rrugë e Asfaltuar
0
m
Lartësi Maksimale

Ky rrugëtim është i vështirësisë të lartë për shkak të relievit malor që përshkon, lartësia maksimale e të cilit arrin 1801 m mbi nivelin e detit. Është pedalim i cili për ata që nuk kërkojnë aventurën ekstreme rekomandohet vetëm për periudhën Maj – Shtator ndonëse me thënë të vërtetën, edhe mpirja dhe mjegullat që pushtojnë majat dhe kreshtat në vjeshtën e vonë dhe pranverën e hershme, janë të magjishme. Gjatësia e tij arrin 31 km. Pedalimi mund të fillojë nga Korça për më sfiduesit, ose nga Biglla për kë dëshiron të kurseje energjinë e pedalimit në rrugën automobilistike dhe të hidhet drejt e në aksionin offroad. Itinerari ndjek rrugën e vjetër ushtarake të Detashmentit Kufitar të Malit të Kuq ku ende mund të dallohen rrënojat e ndërtesës. Djathtas ke pamje të pandërprerë të pjesës fundore jugperëndimore të Fushës së Korçës dhe të fshatrave të rrëzës ndërsa majtas sheh Gramozin dhe territoret përtej kufirit shtetëror me Greqinë. Rruga ndjek kreshtën e malit dhe vazhdon në Kozel për të filluar më pas një zbritje të lehtë drejt luadheve alpine që të çojnë drejt Qafës së Kazanit dhe Çezmës me Gozhdë. Keni shkelur në Gramoz. Ata që e kanë provuar tashmë, thonë se këtu duhet të ndalosh për pak përpara se të zbresesh drejt Nikolicës nëpër shtigje që kërkojnë aftësi dhe eksperiencë. Për shkak të vështirësisë së rrugës dhe terrenit të thyer malor ky pedalim kërkon përgatitje të mirë fizike dhe rekomandohet të përshkohet në grup. Bicikleta duhet të jetë detyrimisht e llojit malor. Një alternativë e këtij pedalimi degëzon drejt fshatit Pepellash dhe zgjaton 13.8 km me lartësi që variojnë nga 1162.9 m deri në 1836.1 m mbi nivelin e detit. Kjo alternativë përbën një nga itineraret më të vështira pasi relievi është malor dhe rruga e pa asfaltuar. Vështirësia e lartë zbehet nga pamja piktoreske që kjo rrugë ofron. Prej Qafës së Qarit mund të sodisësh pamjen e hatashme të pllajës së Kolonjës, Gramozin madhështor nga njëra anë dhe peisazhin e errët të kreshtave të Malit të Zi në anën tjetër. Këshillohet biçikletë e tipit malor.

Did you find apk for android? You can find new Free Android Games and apps.