Want create site? Find Free WordPress Themes and plugins.

Korça shtrihet në pjesën Juglindore të Shqipërisë, në Krahinën Malore Qëndrore. Përfshin tre qytete: Korça, qendër e rrethit, Bilishti e Maliqi dhe 27 komuna. Qyteti i Korçës është një nga qytetet kryesore të Shqipërisë. Shtrihet në pjesën Juglindore të vendit, në rrëzë të malit të Moravës, në lartësinë 869 metra mbi nivelin e detit. Relievi është kryesisht malor e kodrinor. Lartësia mesatare është 1145 metra. Korça, si rajon, është e rrethuar nga një numër i konsiderueshëm kodrash e malesh, në lindje qyteti kufizohet me malin e Moravës dhe në perëndim me zonën e Gorës, Voskopojës dhe Vithkuqit, të cilat janë zonat më malore. Në jug ndodhet Mali i Qarrit dhe në pjesën veriore është Mali i Thatë. Zona e ulët përfshin fushën e Korçës, një ndër më të mëdhatë e Shqipërisë dhe fusha e Devollit të Sipërm. Zona e Korçës është e pasur me burime nënujore, lumenj, ku më i rëndësishmi është lumi i Devollit me degën Dunavec dhe Osumi i sipërm. Në këtë zonë gjenden burimet e tre lumenjve të Shqipërisë (Devoll, Shkumbin dhe Osum). Liqenet janë Prespa e Madhe dhe Prespa e Vogël. Korça kufizohet në veri me qytetin e Pogradecit i cili ndodhet 41 kilometra, në jug me qytetin e Ersekës, 45 kilometra, në lindje me Bilishtin, 27 kilometra, dhe në perëndim me Skraparin. Qyteti i Korçës ndodhet 181 kilometra larg kryeqytetit të vendit, Tiranës.

Korça karakterizohet nga një klimë pjesërisht mesdhetare malore dhe pjesërisht kontinentale, me dimër të ftohtë dhe verë të nxehtë e të thatë. Temperatura  mesatare vjetore arrin deri në 10.6ºC. Muaji më i ftohtë është janari dhe muaji më i nxehtë është gushti. Muaji më i lagësht është nëntori me reshje shiu mesatarisht 104 milimetra ndërsa sasia mesatare vjetore e reshjeve arrin në 720 milimetra. Karakterizohet nga disa erëra lokale si Voskopojarja, erë jug-perëndimore, Morava, Devollka etj.

Popullsia e qytetit të Korçës numëron 130 531 banorë. Pas viteve ’90 qyteti pati një lëvizje të ndjeshme të popullsisë  prej migrimit brenda vendit si edhe emigrimit jashtë shtetit. Përveç kombësisë shqiptare popullsia në qytet dhe rreth tij është e përzier  me vllehë, sllavë dhe rumunë.

Në Korçë bashkëjetojnë në harmoni dy besime fetare: besimi ortodoks dhe besimi mysliman. Gjithashtu, nw Korçë ekzistojnë dhe besime të tjera fetare. Korça konsiderohet simbol i mirëkuptimit dhe bashkëjetesës ndërfetare.

Korça është nyje e rëndësishme transporti që lidh me rrugë auto Shqipërinë e Mesme me rrethet Devoll, Kolonjë e Përmet nëpërmjet Pogradecit. Në Korçë kalon rruga kombëtare që lidh Shqipërinë Juglindore me Greqinë, qytetet Selanik, Larisa etj. Rrugët kryesore auto janë: Korçë-Elbasan-Tiranë, Korçë-Ersekë, Korçë-Bilisht-Kapshticë.

Krahinat etnografike të rrethit janë: Gora, Opari, Devolli dhe Prespa. Traditat zejtare të rrethit kanë qenë: punimi i leshit (shajaku, guna, cibuni, qilimat), prodhimi i lëkurave të trasha prej pambuku, apo punimi i drurit. Voskopoja dallohej për prodhimin e shajakut për eksport, Dardha për punimin e drurit, Bradovica për punimin e enëve prej balte, Progri për ndërtimin e banesave dhe Opari për punimin e drurit e për shtrimin me kalldrëm.

 

Punimi i argjilës është një prej mjeshterive më të lashta dhe është elementi i parë bën prodhimin e enëve dhe orendive. Punimi i argjilës përbën artin e qeramikës, që merr format dhe përmasat e autorit. Arti më i vjetër, embrioni i të cilit gjendet 8.000 vite në thellësinë e kohëve. Një art që me dheun dhe argjilën, ujin dhe zjarrin, përbën një nga fondamentet e civilizimt, qytetërimit në botë, që ka bashkërenduar me zhvillimin e vetë egzistencës njerëzore. Arti i qeramikës i mishëruar në veprat e një artisti, prurje nga antikiteti, sot, në linja dhe forma moderne, që mund të veshin ambjentin e banesës tuaj, mjedisn ku punoni, për ta berë atë më të ngrohtë, mes energjisë që mbartin prej tokës, nga ku u morën për t’u kthyer, mes mjeshtërisë, në objekt, në vepër arti.

“Vasi Kolevica Art” është një hapësirë arti, një Galeri në zemër të Korçës, që mbart në ambjentet e saj ngrohtësinë e artit të qeramikës. Galeria sjell aromat mijëvjeçare të argjilës artistikisht të punuar në mileniumin e ri, pa i tjetërsuar ato, me të njëjtin odor, por si prurje të kohëve, blatuar me dashuri për artin, mes duarve të talentit, ujitur mes frymëzimit dhe pjekur mes zjarrit të kreativitetit.

Korça shquhet për gatime tradicionale e gjellë të shijshme. Është për t’u përmendur byreku ose lakrori me dy petë i pjekur në saç, gatimi i peshkut krap i cili gjendet në liqenin e Prespës, cironkat e famshme si dhe gatimi i kafshëve të egra dhe shpendëve. Gjellët karakteristike korçare janë: petanik me fasule, lakror, përvëlak i ardhur, lakror me qumësht, kërnacka etj. Vithkuqi përmendet për arrat dhe çajin me nam, për mishin e pjekur dhe bulmetin. Në Dardhë nuk duhet të ikni pa provuar të famshmin lakror me dy petë të pjekur në saç. Shumë të veçanta dhe të shijshme janë ligavecët e Dardhës, kërmijtë, kërpudhat e vendit dhe baçori ose lakrori me miell misri.

Nuk mund të lini pa provuar dhe birrën e famshshme të Korçës, të parën birrë në Shqipëri.

Serenatat korçare janë këngë lirike karakteristike që këndohen të shoqëruara me kitarë. Me to Korça është bërë e famshme në të gjithë Shqipërinë. Serenatat shquhen për ëmbëlsinë e ndjenjave të holla dhe mënyrën orgjinale se si i këndojnë dashurisë. Ato janë kënduar poshtë dritareve të vajzave çapkëne korçare, pranë kangjellave të oborreve me lule, dhe rreth e rrotull tavolinave mbushur me ushqime dhe pije tradicionale. Serenatat lulëzimin e tyre e patën në vitet ’30, megjithatë ato vazhdojnë të këndohen edhe sot në çdo familje korçare apo baret dhe restorantet me muzikë live.

Did you find apk for android? You can find new Free Android Games and apps.